Leonora Jakupi është një nga personazhet e njohur që reagoi për lajmin e dy ditëve më parë ku dy emigrantë kosovarë, të cilët qarkullonin me 225 km në orë me makina luksoze në aksin Fier-Vlorë, u gjobitën me një shifër simbolike. Por ndryshe nga të tjerët, këngëtarja e famshme i doli atyre në mbrojtje. “Ç’ka keni more me tan këto sulme për mërgatën tonë? Jo po garojnë me vetura, jo po parkohen keq s’po i respektojnë rregullat në komunikacion etj etj. A mos jemi na ma mire se ata? Apo keni harru që jemi brum i njejt? Leni njerëzit le të kënaqen në vendin e vet, tek e fundit secili paguan për gabimin e vet! Gëzuar Diasporë”, shkruante ajo në një status në InstaStory.
Ndërkohë që një pjesë e mirë e ndjekësve e kanë keqkuptuar këtë reagim të Leonorës, ajo ka sqaruar sot deklaratën e saj. Artistja u shpreh se nuk mbron njerëz që rrezikojnë jetën e tyre dhe të tjerve, por shtoi se jo çdo gabim individual duhet të përgjithësohet për diasporën.
“Ta keni parasysh që unë nuk mbroj njerëz që rrezikojnë jetën e vet dhe të qytetarëve. Unë mbroj të drejten e Diasporës, jo çdo gabim individual duhet t’i mvishet mërgatës! PS: Si duket mediat në Shqipëri nuk e kanë as idenë më të vogël sa çka po ndodh në Ks. viteve të fundit”, shkruan Leonora