Aktori i humorit Sejfulla Myftari që të gjithë e njohim si Cekja i Beratit ka rrëfyer se si po i kalon këto ditë karantine, e ku nuk kanë munguar dozat e humorit.
Në një lidhje me “Vizionin e Pasdites” ai thotë se në shtëpinë e tij u mbytën duke ngrënë hashure dhe se ka dhe debate me gruan.
“Nuk ia them për gatim. Absolutisht për punët e shtëpisë nuk ia them fare. Kjo e shkreta u merua, se jam edhe me çunin dhe secili nga ne ka preferencat e tij. Nuk dua mish me fasule, dua gjë tjetër, e më the të thashë. Dhe ajo e shkreta gatuan dhe vetëm gatuan. U çamë duke ngrënë ashure, darkë më darkë ashure. U mbytëm me ashure. Edhe zihemi. Po ndenje në shtëpi do bësh dhe sherre, grindesh kot më kot pa lidhje,”- tha ai në një lidhje në Skype për “Vizioni i Pasdites”.
Cekja i Beratit tha se po e shijon shumë qëndrimin i izoluar brenda në shtëpi dhe se po kënaqet.
“Qenka gjë e bukur të rrish brenda. Më thoshte gruaja më përpara që nuk u mblodhe njëherë në shtëpi, ja i thashë u mblodha. I thashë këtu më ke nuk lëviz më. Sinqerisht po kënaqem, po ndjej një lloj relaksi. Po mbusha tre ditë e nuk lëviz, iki vetë pastaj. Paradite dal një ore në një mini-lulishte që kemi këtu afër, tek pull vetëm. Kur më afrohet njeri u them ‘të lutem se më pret një shok, kam një telefonatë nga jashtë dhe ikin,”– shtoi aktori.
