Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të mbledhë kabinetin e tij të sigurisë sot në mbrëmje për të diskutuar propozimet e reja të Hamasit për një marrëveshje armëpushimi në Gazë, sipas një burimi të Zyrës së kryeministrit, sipas “Reuters”.
Para mbledhjes së kabinetit, Netanyahu do të ketë konsultime me ekipin e tij të negociatave për armëpushim.
Izraeli mori dje përgjigjen e Hamasit ndaj një propozimi të bërë publikisht në fund të majit nga presidenti amerikan Joe Biden që do të përfshinte lirimin e rreth 120 pengjeve të mbajtura në Gazë dhe një armëpushim në enklavën palestineze.
Një zyrtar palestinez i afërt me përpjekjet e ndërmjetësimit tha se Hamasi, grupi militant që kontrollon Gazën, ka treguar fleksibilitet ndaj disa klauzolave, që do të lejonin arritjen e një marrëveshjeje kornizë nëse Izraeli i miraton. Dy zyrtarë të Hamasit nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
Hamasi tha se çdo marrëveshje duhet t’i jepte fund luftës gati 9-mujore dhe të çonte në një tërheqje të plotë të forcave izraelite nga Gaza.
Izraeli tha se do të pranonte vetëm pauza të përkohshme në luftime derisa Hamasi të zhdukej.
Plani përfshin lirimin gradual të pengjeve izraelitë që ende mbahen në Gazë dhe tërheqjen e forcave izraelite gjatë dy fazave të para, si dhe lirimin e të burgosurve palestinezë.
Faza e tretë përfshin rindërtimin e territorit të shkatërruar nga lufta dhe kthimin e eshtrave të pengjeve të vdekur.