Mbrëmjen e djeshme, Real Madridi korri një fitore shumë të rëndësishme 1-3 kundër londinezve të Chelsea-t në përballjen e parë çerekfinale në transfertë, çka i lehtëson mjaft pune “galaktikëve” në ndeshjen e kthimit. Padyshim, heroi i madrilenëve dje ishte bomberi Karim Benzema, që me 3 golat e tij e çoi Realin me një këmbë në gjysmëfinale.
Këtë sezon, francezi ka treguar se është një sulmues i padiskutueshëm. Në një intervistë pas përfundimit të sfidës, ai ka folur për mediat për këtë natë magjike ku me tripletën e tij i dhuroi “Los Blancos” një fitore të madhe .
“Janë netë magjike, si ajo kundër PSG-së në Bernabeu. Ne erdhëm për të fituar, për të treguar se jemi Real Madrid. Gjërat shkuan mirë për ne, nga minuta e parë deri në minutën e fundit.
Kur jemi një Real si sontë, është më e lehtë për të gjithë. Hat-trick? Golat janë të gjithë gola të rëndësishëm, por unë jam më i lumtur që shënova të tretin, sepse humba një në pjesën e parë dhe vazhdoja mendoja për atë rast. Ne do të bëjmë gjithçka për të fituar ndeshjen e dytë, do të jetë shumë e rëndësishme”, deklaroi Benzema.
