Martesa është themeli i ndërtimit të një familjeje. Ngjarjet e fundit në vend mbi krimet familjare dhe dhunën fizike kanë tronditur shoqërinë shqiptare.
Nga data 7-14 Shkurt është “Java e Martesës”, e cila organizohet prej 9 vitesh edhe në Shqipëri. Java e Martesës është një lëvizje ndërkombëtare në rritje, që çdo vit rreth 2 milionë njerëz marrin pjesë në aktivitete të Javës së Martesës në rreth 30 vende në katër kontinente!
Martesat e forta janë themeli për familje të forta, dhe familjet e forta janë shtyllat e një shoqërie të shëndetshme. Problemi është se shpesh jemi shumë të zënë për t’i dhënë martesës kujdesin që meriton. Java e Martesës synon t’u kujtojë çifteve të martuara në Shqipëri t’i japin prioritet njëri-tjetrit.Aktivitet e Javës së Martesës kanë si qëllimin të inkurajojë çdo çift, pavarësisht nëse janë të sapomartuar apo gjyshër, që të investojnë kohë dhe energji për forcimin e martesës së tyre. Në martesë, ashtu si në shumë gjëra të tjera, janë investimet e vogla që sjellin ndryshim të madh!
Në kuadër të kësaj jave ”Java e Martesës” në Shqipëri ofron ndihmë përmes informacioneve dhe këshillave. Gjithashtu revista “Java e Martesës” arrin dhjetëra mijëra çifte në Shqipëri dhe Kosovë çdo vit. Kjo organizatë ofron edhe kurse trajnuese që ndihmojnë çiftet të rriten në dashuri dhe në njohje duke rritur ndërgjegjësimin e çifteve të kudondodhura që: “Po, mund të keni vërtetë një martesë shumë të mirë!”.