Partia Socialiste në 44 bashki vendosi të garojë me kryetarët aktualë, duke u besuar një mandat tjetër. Sekretari i përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri thotë se takimet në kuadër të fushatës elektorale do të nisin javën tjetër ashtu siç e përcakton kodi zgjedhor. Ndërsa theksoi se PS-ja nuk kishte qëllim organizimin e aktiviteteve masive, por takimeve të vogla me qytetarë ku do flitet për punën e bërë.
“Në mbledhje u diskutua nga të gjithë anëtarët për strategjinë dhe kalendarin e aktiviteteve që shumë shpejt do i bëjmë publike. Ishin mbledhje organizative ku të gjithë anëtarët e kryesisë dhanë mendimet. Hyjmë të siguritë me një strategji të mirëmenduar. Kemi menduar të mos bëjmë aktivitete masive, nuk duam të bërtasim por t’u tregojmë njerëzve se çfarë pune kemi bërë. Aktivitetet do fillojnë javën tjetër në përputhje me kodin zgjedhor”,-tha Gjiknuri.
I pyetur mbi fushatën elektorale të opozitës, Gjiknuri tha se partitë opozitare nuk kanë asnjë strategji zhvillimi për vendin përveç thirrjeve që bëjnë për revolucion, gjë që sipas tij nuk është në përputhje me atë çfarë kanë nevojë shqiptarët në këtë moment.
“Kundërshtarët politikë janë të zhytur në rublat ruse, por strategjia jonë është ajo e ndërtimit të të ardhmes. E shikojmë strategjinë e zhvillimit kurse pala tjetër ka vetëm një slogan që është “përmbysje, revolucion” që nuk është në përputhje me atë që duan shqiptarët”,-shtoi sekretari i Përgjithshëm i PS.
