Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë ‘Arrest në burg’ për Faik e Shkëlzen Bucin, babë e bir që vranë 23-vjeçaren Eglantina Buci 8 vite më parë. Pasi ka dëgjuar palët, gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë duke lënë në burg babë e bir.
Pas vendimit avokati mbrojtës tha se klientët e tij e kanë mohuar krimin dhe se Faik Buci mendon se e bija është prostituuar pasi nuk vinte në shtëpi.
“Nga një gjykim i mëparshëm i organit të procedurës është konstatuar se eshtrat janë të Eglantina Bucit. Nuk ka pasur pretendime për këtë fakt. Në vitin 2009 ka qenë kontakti i fundit me të ëmën. Ata nuk kanë jetuar normalisht, vajza nuk vinte në shtëpi dhe me kërkesat që babai ka bërë vetë ajo nuk vinte në shtëpi dhe prandaj mendohet se mund të jetë prostituuar”, tha avokati.
Kujtojmë që Eglandina Buci është vrarë në 2012 në Malin me Gropa nga vëllai i saj, me urdhër të babait.
Ata nuk ia falën kurrë Eglantina Bucit faktin që kishte krijuar një lidhje intime me fqinjin dhe ishte larguar të jetonte me të.
