Operacioni për arrestimin e dy inspektorëve të policisë së Elbasanit dhe tre personave të tjerë, ka zbuluar se personat nuk kanë pasur për qëllim tu marrin qytetarëve vetëm shuma financiare por edhe të mira material.
Gjatë hetimeve të kryera përmes përgjimeve ambientale dhe vëzhgimeve në teren, SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, ka zbuluar se njëri nga inspektorët e policisë Elbasan, i ka marrë një qytetari dhe një viç të therur.
Bëhet fjalë për inspektorin Çelnik Toska, i cili aktualisht është arrestuar në masën e sigurisë “arrest në shtëpie”. Toska në një rast është provuar se ka marrë nga Zenel Taragjini dhe babai i tij, Lirian Taragjini, një viç të therur.
“Ora News” mëson se sasia e mishit është marrë në këmbim të lirimit të një automjeti, që ishte bllokuar nga policia e Elbasanit.
Megjithëse gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për Çelnik Toskën, prokuroria e Posaçme SPAK, tashmë ka apeluar këtë vendim duke kërkuar caktimin e masës së “arrestit në burg, për punonjësin e policisë së Elbasanit.
