Mattia Zaccagni ka bërë për vete Lazio-n me shumë punë dhe me shumë paraqitje të mira. Ai ka bindur trajnerin Maurizio Sarri që ta bëjë një prej titullarëve të skuadrës.
Prova shumë të mira dhe gola që kanë tërhequr vëmendjen edhe klubeve të tjerë të Serisë A. Siç ka bërë të ditur Corriere dello Sport, në fakt, për mesfushorin sulmues po interesohet edhe Juventus-i.
Lazio e ka marrë Zaccagni-n nga Verona me formulën e huazimit dhe detyrimin e blerjes të fiksuar në 7 milionë euro. Megjithatë, bardhezinjtë nuk do ta kenë të lehtë të bindin presidentin Lotito.
Javët e ardhshme do të tregojnë nëse do të ketë diçka mes palëve, por ka pak mundësi që bardhekaltrit të heqin dorë nga lojtari vetëm pas një sezoni, veçanërisht tani që trajneri është bindur nga loja dhe cilësitë e tij.
