Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, thotë se është detyruar të mbylli përkohësisht aksesin e shërbimeve publike online dhe faqeve të tjera qeveritare për shkak se po përballemi me një sulm kriminal kibernetik të sinkronizuar dhe të sofistikuar nga jashtë Shqipërisë.
“Për t’u bërë ballë këtyre goditjeve të paprecedenta dhe të rrezikshme, jemi detyruar të mbyllim sistemet qeveritare deri në neutralizimin e sulmeve armike. Ftojmë qytetarët, mediat, bizneset dhe gjithë aktorët e tjerë të sensibilizohen për të thyer këtë sulm ndaj interesave kombëtare shqiptare dhe të mirëkuptojnë gjendjen e përkohshme të mos aksesimit të shërbimeve publike”, thuhet në një njoftim.
Po ashtu Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, thekson se është në gatishmëri të plotë dhe po punon gjatë të gjithë kohë me ekipin e Microsoft, ekipin e Jones Group International, dhe ekipet e kompanive shqiptare në fushën TIK për të mos lejuar që ky sulm kinerbetik të dëmtojë apo cënojë sistemet shqiptare të informacionit.
Njoftimi i plotë
Shqipëria është gjendur ditën e sotme nën një sulm masiv kibernetik, të pandodhur kurrë më parë. Sulmi kriminal kibernetik rezulton të jetë i sinkronizuar dhe i sofistikuar nga jashtë Shqipërisë.
Për të mos lejuar që kjo goditje të dëmtojë sistemin tonë të informacionit, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka mbyllur përkohësisht aksesin e shërbimeve publike online dhe faqeve të tjera qeveritare.
Sistemet qeveritare do të qëndrojnë të mbyllura deri në neutralizimin e sulmeve armike, teksa AKSHI po punon me ekipin e Microsoft, me ekipin e Jones Group International dhe kompanitë shqiptare në fushën TIK, për të penguar cënimin e sistemit tonë të informacionit nga ky akt kriminal.