Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka rrëzuar vendimin për burgim të përjetshëm dhe ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar të Dritan Dajtit, i akuzuar për vrasjen e katër policëve në krye të detyrës.
Përpara se të arrestohej në vitin 2009, Dajti i pati shpëtuar disa herë arrestimeve, por në publikimet e kabllogrameve Wikileaks, ngrihen dyshime të forta se këtyre arrestimeve, Dajti u ka shpëtuar me ndihmën e Agron Kuliçajt, ish drejtorit të policisë së shtetit në qeverinë Berisha dhe më herët ish truproja personale e ish Kryeministrit.
Emri i Dritan Dajtit përmendet për një lidhje të fortë me Agron Kuliçaj, për të cilin sipas ambasadës amerikane në Tiranë, burimet brenda policisë thonë se dekonspironte aksionet e policisë te Dajti.
Në kabllogramin e klasifikuar “konfidencial”, drejtuar DASH-it nga Ambasada Amerikane në Tiranë shkruhej mes të tjerash se “Kuliçaj mund të jetë përfshirë në skandalin që doli pas arrestimit të Dritan Dajtit në gusht, një figurë kjo e krimit të organizuar, ku Dajti u informua paraprakisht dhe shumë oficerë policie mbetën të vrarë gjatë aksionit…”.
Kabllogrami i plotë:
Titulli: Rokada në polici zbulon një “të paprekshëm”
Datë 25 nëntor 2009
Dërguar nga Ambasada amerikane në Tiranë
Merr Departamenti Amerikan i Shtetit
Firmosur: Ambasadori John Withers
Klasifikuar si material konfidencial
Pas një jave në krye të detyrës, drejtori i sapoemëruar i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj prezantoi dorëheqjen e pothuajse të gjithë drejtorëve të policisë në nivel rajonal dhe funksional. Dy javë më pas Burgaj bëri ndryshime të ngjashme të stafit në policinë kufitare. Teksa shpejtësia e rokadës kapi kritikët dhe donatorët ndërkombëtarë në surprizë, ambasada është dakord me misionin PAMECA dhe ndryshimet ishin në zbatim të rregullores dhe shumë prej tyre janë lëvizje pozitive.
Gjithsesi, ambasada mbetet e shqetësuar në lidhje me Agron Kuliçaj, i cili nuk është prekur nga kjo rokadë. Burimet thonë se Kuliçaj është i korruptuar dhe donatorët ndërkombëtarë refuzojnë që të ndihmojnë policinë shqiptare për shkak të prezencës së tij.
Ambasadori i ka shprehur shqetësimet e tij në lidhje me korrupsionin në nivelet e larta të policisë shqiptare ministrit Basha ndërsa përfaqësuesi i ambasadës në ICITAP ka shprehur shqetësimet konkrete për Kuliçajn tek Burgaj.
Burgaj i ka thënë se Kuliçaj është i lidhur ngushtë me kryeministrin Berisha dhe çdo përpjekje për të larguar ose detyruar atë që të dorëhiqet duhet të vijë nga zyra e kryeministrit.
Në 29 tetor Burgaj u emërua nga Këshilli i Ministrave për të zëvendësuar Ahmet Prençin. Fjalë nga të gjitha anët tregojnë se edhe pse Prençi dha dorëheqjen për arsye shëndetësore, arsyeja e vërtetë që ai u largua është keqmenaxhimi i operacionit për arrestimi e një figurë të krimit, Dritan Dajtit në gusht.
Burgaj ishte më parë zëvendësi i Prençit dhe ka reputacion të mirë. Deri më sot, ambasada ka qenë e kënaqur me performancën e Burgajt. Pak kohë pas emërimit, Burgaj i tregoi ambasadës qëllimin e tij për të bërë ndryshime të mëdha në Policinë e Shtetit.
Ambasada britanike ka ngritur shqetësime në lidhje me dorëheqjen e Arjan Muçës nga drejtoria e krimit të organizuar për tu bërë këshilltar i Burgajt. Shqetësimet e britanikëve kanë të bëjnë me investimin që ka bërë BE-ja në drejtorinë kundër krimit të organizuar.
Një drejtor që nuk u prek nga rokada ishte Agron Kuliçaj, kreu i inteligjencës, i cili besohet gjerësisht se është i korruptuar. Burimet i kanë thënë ambasadës se disa donatorë europianë refuzojnë të përfshihen me policinë veçanërisht për shkak të prezencës së Kuliçajt. Ne kemi arsye të besojmë se kjo është një e vërtetë edhe për disa agjenci amerikane.
Jo vetëm që praktikat korruptive të Kuliçajt janë shumë të njohura, por ka fjalë se ai mund të jetë i implikuar në shpartallimin e policisë gjatë operacionit për arrestimin e Dritan Dajtit në gusht. Dajti kishte marrë një spiunim nga brenda dhe disa oficerë policie humbën jetën gjatë shkëmbimit të zjarrit. Njerëz brenda policisë besojnë se Kuliçaj mund të ketë ndihmuar Dritan Dajtin ti shpëtojë tentativave të mëparshme për ta arrestuar.
Sipas burimeve policore, zyrtarë të lartë të policisë vendosën të ndërhynin kundër Dajtit në gusht të këtij viti sepse në atë Kuliçaj ishte jashtë Shqipërisë dhe teorikisht nuk kishte mundësi të informonte Dajtin.
Ambasadori ia tha ministrit Basha shqetësimet tona për korrupsionin në nivelet e larta të policisë shqiptare. Javën e kaluar ICITAP foli me Burgajn për shqetësimet konkrete për Kuliçajn.
Burgaj i tha se ai vetë kishte probleme me Kuliçajn dhe se zyrtarë të tjerë të policisë ishin të shqetësuar për lidhjet dhe përfshirjen e tij në krimin e organizuar. Burgaj saktësoi se ai nuk kishte fuqinë për të transferuar ose shkarkuar Kuliçaj për shkak të lidhjeve që ka me kryeministrin Berisha.
Burgaj sugjeroi që nëse Ambasada kishte shqetësime, duhet të ngrinte ato tek Berisha sepse vetëm ai mund të marrë vendime në lidhje me detyrën e Kuliçajt.