Shkrirja e tre agjencive në një të vetme, konkretisht ajo e ALUIZNI-t, Hipotekës dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, dhe projektligji i kadastrës kanë hasur në kontestimin e opozitës dhe presidentit Ilir Meta, me argumentin se do të shkaktonte një kaos me pronësinë, për shkak të hartës së re dixhitale. Por për kryeregjistruesin Valdin Pjetri, hartat e reja nuk do të krijojnë probleme pronësie, pasi bëhet fjalë për sistemim të hartave të vjetra. Po ashtu, Pjetri theksoi se shqetësim kryesor në Shqipëri është mosregjistrimi fillestar i 10% të pronave.
“Problemi kryesor që kanë zyrat tona është sistemimi i hartave, pasi nga viti ’93-’94, kur filloi për herë të parë regjistrimi fillestar që ne e quajmë në terma teknikë, disa nuk u pasqyruan në mënyrë të saktë dhe me t’u sistemuar hartat, nuk do të ketë më probleme. Problemi kryesor që ka Shqipëria sot përsa i përket problemit të hartave është regjistrimi fillestar. Në 10 % të Shqipërisë, kryesisht në zonën e Alpeve të veriut, në Shqipërinë e Mesme, por edhe në bregdet, në pjesën jugore të vendit, nuk ka akoma regjistrim fillestar”, shprehet ai.
Ndërkohë, drejtori i Hipotekës ka deklaruar se është nënshkruar edhe kontrata e dixhitalizimit të arkivave, pas rrezikut që u kanosej 47 milionë dokumenteve.
“Janë rreth 47 milionë fletë nëpër 35 zyrat tona. Fillon në fund të shkurtit procesi dhe mendohet të zgjasë rreth 10-12 muaj. Kemi dëgjuar shpesh të flitet “nuk ma gjejnë dosjen”, “më ka humbur dosja”. Dosja nuk është zhdukur kurrë. Një nga punonjësit tanë e ka marrë dhe e ka zhdukur për afera absolutisht kurruptive. Nuk e identifikon dot kush e mori dosjen dhe si humbi dosja”, thotë Pjetri.
Pjetri nuk ka hedhur poshtë edhe abuzimet e mëdha që janë kryer në zyrat e hipotekës, pasi pohoi së deri në mujin tetor ishin 31 mijë leje legalizimi të ardhura në zyrë dhe të paregjistruara për shkak të korrupsionit.
“Pra, 31 mijë ka qenë inventari i vitit 2018, muaji tetor, i lejeve të legalizimit të përcjella në zyrat tona dhe të paregjistruara kurrë. Shkaku shumë i thjeshtë: neglizhencë, pasi zyrat tona trajtonin në mënyrë klienteliste rastet. Pra, duhej të shkoje të takoje dikë në zyrat tona dhe të fillonte trajtimi i praktikës tënde”, është shprehur Pjetri.
Sakaq, duke marrë shkas nga ngjarjet e publikuara në media për skandalet lidhur me korrupsionin, kryeregjistruesi tha se janë pushuar nga puna 230 punojës dhe janë kallëzuar në gjykatë ata që lidheshin me korrupsionin.
TemaTv