Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria po hyn në një fazë të re të modernizimit të administratës publike, ku inteligjenca artificiale dhe digjitalizimi do të kenë një rol kyç në përmirësimin e shërbimeve dhe rritjen e transparencës.
Gjatë fjalës së mbajtur në Edicionin e Tretë të Javës së Administratës Publike, me fokus “Shërbimi Publik për një Shqipëri Europiane”, Rama tha se pas përfundimit të procesit të digjitalizimit të Kadastrës, tashmë po ndërtohet sistemi që, sipas tij, do t’i japë fund njëherë e mirë problemeve që qytetarët kanë hasur ndër vite.
“Digjitalizimi bëri që të hiqet një copë letër. Pushimet e emigrantëve dikur kalonin mes plazheve dhe sporteleve për të marrë një shërbim. Mbaroi puna e madhe për digjitalizimin e Kadastrës, me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe brenda afateve të përcaktuara. Tani vjen faza tjetër, ndërtimi i sistemit që do ta bëjë përfundimisht Kadastrën njësoj si të gjitha shërbimet e tjera. Do të ikë nga jeta e shqiptarëve edhe ky makth i Kadastrës”, u shpreh Rama.
Kryeministri njoftoi gjithashtu se qeveria po punon me kompani të mëdha të teknologjisë për të zhvilluar modelin e parë të inteligjencës artificiale që do të përdoret në prokurimet publike.
“Sot Shqipëria po punon për të pasur modelin e parë të inteligjencës artificiale për prokurimet publike nga A-ja te Zh-ja. Jemi duke punuar me gjigandët e teknologjisë. Projekti do të testohet vitin e ardhshëm dhe synohet të hyjë në funksion në vitin 2028. Kur të jetë plotësisht funksional, do ta heqë përfundimisht problemin e fondeve publike dhe të tenderave. Përmirësimet e qëndrueshme vijnë vetëm nga sistemi”, deklaroi ai.
Rama solli si shembull edhe zhvillimin e Maturës Shtetërore, duke theksuar se falë reformave dhe përdorimit të teknologjisë janë shmangur problematikat që shoqëronin procesin në vitet e kaluara.
“Të gjitha synimet që kemi përcaktuar në ligj shkojnë në këtë drejtim dhe teknologjia do të ndihmojë shumë, veçanërisht në sektorët më vulnerabël. U zhvillua Matura Shtetërore dhe nuk u dëgjua më asgjë nga ato që dëgjoheshin në vitet e kaluara”, përfundoi Kryeministri.
