Kuvendi i Shqipërisë miratoi në mesnatë me 69 vota pro, 23 kundër e 3 abstenime projektligjin për kanabisin mjekësor. Tre deputetët që abstenuan ishin socialistët Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko dhe Erjon Braçe.
Opozita shprehu dyshime pse projektligji u miratua me procedurë të përshpejtiuar në komisionet parlamentare nga socialistët, dhe nga ana tjetër nuk ka ndonjë studim mbi përfitimet që ka ekonomia e Shqipërisë në raport me rreziqet dhe pasojat sociale, shëndetësore dhe kriminale që sjell përdorimi i marihuanës.
Shumica socialiste e miratoi projektligjin me votat e saj, për të ligjëruar kultivimin dhe përpunimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale, duke përsëritur se kontrollet do të jenë të rrepta dhe mundësitë e fitimeve financiare dhe punësimi janë të mëdha.

