Kandidati i Partisë Demokratike të drejtuar nga kryetari i komanduar Enkelejd Alibeaj për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24 foli për zgjedhjet e 14 majit dhe koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Bejko u ndal te koalicioni “Bashkë Fitojmë”, ku tha se ish-kryeministri Sali Berisha mund të ketë në plan t’i trashëgojë kreut të PL-së, Ilir Meta, pjesën e tij të Partisë Demokratike.
Gazetarja: Janë dy kandidatë të së djathtës, njëri me zyrtaren, tjetri me jo zyrtaren…
Bejko: Tjetri me LSI dhe Partinë Komuniste. T’i vëmë emrin siç e ka, se atyre nuk u erdhi turp t’i vënë emrin. Ne na vjen turp t’ua përmendim. Duhet të vendoset emri. Është në koalicion me LSI dhe Partinë Komuniste. A e dini pse? Sepse Sali Berisha, Ilir Metën e shikon si njeriun më të besuar sot dhe ka mundësi që PD, pjesën e PD që ka marrë me vete t’ia trashëgojë Ilir Metës dhe Ilir Meta, doni apo jo ju, rezultatin do e zgjedhë kështu. Sepse a do shkojnë të votojnë këta demokratë që i ka marrë Saliu me vete? Do shkojnë. Çfarë do nxjerrin ata në fund? Do nxjerrin Këshillin e Bashkisë dhe diku do fitojë kryetar, diku nuk do fitojnë por Këshilli i Bashkisë do i japë një peshë Ilir Metës, një peshë politike dhe publike, sepse do marrë numra që s’i ka realisht në partinë e vet, por do i marrë për shkak të votave që do çojnë demokratët aty. Ata që ndjekin Sali Berishën flas.