Vijojnë debatet, komentet, analizat në lidhje me dorëzimin e mandateve të deputetëve të PD-së dhe LSI-së. Analisti Artan Hoxha thotë se Rama pas deklaratës së sotme (21 shkurt) nuk ka më mundësi për reflektim. Hoxha tha se është koha që ndërkombëtarët duhet të heshtin. Sipas Hoxhës, Rama duhej të pranonte zgjidhjen që të çon drejt zgjedhjeve normale.
Artan Hoxha: Rama ka vendosur të vihet përballë popullit. Ai nuk ka më mundësi të reflektojë. Lotët e krokodilit i ka pasur me rubinet kollaj fare. Një kryeministër që dashuron vetveten, bezdi e ka dhe ekzistencën e opozitës. Ndërkombëtarët kanë propozuar kompromise jo dinjitoze, prandaj më mirë të mos duken fare. Ndërkombëtarët le të heshtin pak. Edi Rama dhe rilindja e tij kanë humbur çdo lloj aftësie reflektuese. Pakënaqësia është masive një pjesë e madhe është mëri dhe një pjesë e madhe e mërisë është urrejtje.
Kjo qeveri duhet të bëjë hesapet nëse do largohet normalisht apo duke e ndjekur pas një urrejtje e tërë. Rama duhej të pranonte zgjidhjen që të çon drejt zgjedhjeve normale që i japin mundësi njerëzve të votojnë pa i marrë kartat e identitetit në paradhënie, të pajoshur nga shuma parash të votojnë si njerëz të lirë dhe për të arritur këtë duhet demoralizuar struktura që aktivizohet në kohën e zgjedhjeve.
Rama bllofin, ai luan dhe kur i bie ngushtë rripi i mesit fillon e bën lot krokodili. Sot nuk u tërhoq dhe do përballet me përshkallëzim të popullit dhe jo me 44 deputetë me Bashën në krye. Unë them se duhet ti masë mirë forcat dhe shpresoj që në PS pa rilindjen duhet të ketë ende fuqi reflektimi përndryshe do ishte lajm i keq për Shqipërinë. I pyetur se cfarë parashikoni se do të ndodhë, Artan Hoxha u përgjigj: “Parashikoj gjithnjë e më shumë që njerëzit do të mobilizohen për ta rrëzuar këtë qeveri”.