Dosja “McGonigal” ka shkaktuar kaos në Kuvend. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u kërkoi deputetëve të opozitës që nëse vërtet e duan një mocion me debat për çështjen e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, duhet të respektojnë procedurat dhe kërkesa e tyre për ndryshim të rend të ditës të shqyrtohet në Konferencën e Kryetarëve.
Sipas Ballës, opozita nuk është e shqetësuar për hetimet që po bëhen në SHBA, pasi sipas tij, në to nuk është i përfshirë asnjë zyrtar shqiptar. Për të opozita po tenton të largojë vëmendjen nga 21 janari dhe Gërdeci. Balla solli në vëmendje se ndërsa mbahej seanca plenare një javë më parë, i biri i kryedemokratit Sali Berisha u thirr në SPAK.
“Nuk janë të shqetësuar për hetimin në SHBA, sepse në atë hetim nuk ka asnjë zyrtar shqiptar të jetë nën hetim. I biri i Berishës një javë më parë ishte para SPAK-ut. Çdo përpjekje e juaj për të hequr vëmendjen nga hetimi i 21 janarit, nga hetimi i Gërdecit është përpjekje e kotë. Vijojmë të jemi në një situatë si kjo kur nuk marrim dot fjalën”,-tha Balla.