Profesori i kriminalistikës, Ervin Karamuço tha në emisionin Now në Euronews Albania se në garën për kreun e SPAK mund të ishin edhe më shumë kandidatë pasi 3 prej tyre janë tërhequr nga kandidimi.
Sipas tij, krimi i organizuar “do të punojë për të influencuar në zgjedhjen e kreut të ri të SPAK-ut, për preferenca të ndryshme”.
“Krimi i organizuar do të punojë për të influencuar në zgjedhjen e kreut të ri të SPAK-ut, për preferenca të ndryshme. Do të synojnë t’i baltosin, t’i intimidojnë, shantazhojnë, dhe pse jo – ndonjë mund të tërhiqet dhe rrugës e të thotë: “U lodha”, siç ka ndodhur në raste të tjera, që janë bërë gati për t’u tërhequr dhe kanë thënë: “Çfarë është ky presion i madh? Në fund të fundit, çfarë do bëj? Do jem i pari në mes të barabartëve”, tha Karamuço.
Karamuço tha se SPAK-u ka elementë të jashtëzakonshëm brenda vetes, që janë një model, një stekë e ngritur, një standard që mund të lërë një trashëgimi të mirë.
“Të katërt këta kanë një profil që konkurrojnë shumë. Nuk kemi pasur një garë të tillë me kaq konkurrueshmëri. Do të jetë e vështirë edhe për KLP-në. Nuk e di si do të ndahen votat aty. Mund të ishin edhe tre kandidatë të tjerë që kanë dashur të marrin pjesë. Njëri është tërhequr se i hapi rrugë bashkëpunëtorit. Një tjetër donte të vinte kandidaturën për t’u dukur i rëndësishëm. Ka qenë edhe një tjetër. Mund të ishin 7, por janë katër dhe shumë mirë që janë me këto aftësi që kanë. Kemi mundësi të mburremi me të katërt.
