Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ka rrëzuar kërkesën e Partisë Socialiste për të mos regjistruar si kandidat të pavarur Gjergj Mërkurin në Sarandë. Në njoftim thuhet se në përfundim të shqyrtimit paraprak, KAS vendosi moskalimin për shqyrtim të kësaj kërkese.
“Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve shqyrtoi elementët e formës dhe të përmbajtjes së kërkesës ankimore nr. 42, me ankues Partia Socialiste e Shqipërisë dhe objekt “Ndryshimin e vendimit nr. 31, datë 28.03.2023, të KZAZ nr. 90, Sarandë . Mosregjistrimin e kandidatit për kryetar të njësisë së qeverisjes vendore të z. Gjergj Filip Mërkuri ”. Në përfundim të shqyrtimit paraprak, KAS vendosi moskalimin për shqyrtim të kësaj kërkese.”, thuhet në njoftim.
Në kërkesën e depozituar nga përfaqësuesi i PS në KQZ, Eridian Salianji thuhej se Gjergji Mërkuri ka falsifikuar firmat e qytetarëve dhe për këtë arsye PS kërkon që të mos futej në garën elektorale. Një tjetër argument i paraqitur nga PS është se shumë prej atyre që kane firnosur, nuk e kanë fare vendbanimin në Sarandë.
