Sezoni futbollistik 2018-2019 ka pak ditë që është mbyllur në vendin tonë, por klubet e elitës së futbollit, Kategorisë Superiore, kanë filluar që tani të bëjnë lëvizjet e para me afrime e largime lojtarësh për të përgatitur grupin me të cilin do të përballojnë edicionin e ardhshëm.

Megjithatë, nuk është merkato ajo që duhet të shqetësojë më shumë klubet e Superiores, por një seri e gjatë çështjesh që pak nga pak po përfundojnë në zyrat e FIFA-s. Janë lojtarë dhe ish-lojtarë të klubeve të ndryshme të Superiores të cilët i janë drejtuar tashmë ndërkombëtarëve të cilët i shohin si zgjidhjen e vetme për të marrë paratë që klubet u detyrohen.

Shumë klube në sezonin fundit kanë probleme me mospagimin e rrogave dhe u detyrohen lojtarëve të tyre shumë muaj paga. Me mbylljen e Sezonit pritej shlyerja e detyrimeve por në klube të ndryshme kjo gjë nuk ka ndodhur. Nëpërmjet kontakteve të ndryshme gjatë këtyre javëve, VIP Sport ka mësuar se lojtarët shqiptarë i janë drejtuar kryesisht Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF për të gjetur drejtësi, ndërsa të huajt nuk kanë vonuar të depozitojnë ankimimet e tyre në FIFA.

Kjo e fundit nuk kursehet asnjëherë sa u përket vendimeve kundër klubeve shqiptare, pasi thuajse gjithmonë këta të fundit kanë dalë të humbur me të drejtë sa u përket çështjeve të tilla. Për një pagesë të vonuar të një shume prej vetëm 5 mijë eurosh, klubi i Tiranës u detyrua të mos bënte merkato në janar dhe kjo ndikoi në fund të sezonit që bardheblutë të binin nga kategoria. Me një perspektivë të tillë përballen aktualisht shumë skuadra të Superiores nëse nuk shlyejnë detyrimet, pasi janë vënë në shënjestër nga FIFA e cila ka vendosur të mos bëjë më tolerime.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here