Në Komisionin Hetimor Parlamentar për Inceneratorët, kryeministri Edi Rama tha se nuk i njeh pronarët e inceneratorëve, Klodian Zoton dhe Stela Gugalljan.
Në atë moment, deputeti demokrat Belind Këlliçi nxorri një video ku kryeministri Rama ka qenë në inaugurimin e Inceneatorit të Elbasanit dhe pas tij ndodhen Klodian Zoto dhe Stela Gugalla. Kreu i qeverisë tha se mund të kishte mundësi për t’i njohur, por që nuk ka shkëmbyer asgjë me ta.
Këlliçi: Kam këtu një video kur ju jeni në ingagurimin e inceneratorit të Elbasanit dhe pas jush janë Klodian Zoto dhe Stela Gugallja? Këta persona më 18 prill 2017 si pronarë të inceneratorit ju kanë shoqëruar gjatë inagurimit dhe gjatë vizitës në impiant. Thatë që nuk i njihni, janë prezent 3 metra larg jush.
Rama: Unë kam shkuar nëpër shumë biznese dhe realisht që ka njerëz me të cilët kam folur, por ka njerëz të cilët kanë ngelur mbrapa. Ja ku është një fotografi e djalit të liderit historik me një grup trafikantësh kokaine dhe të ngrija mbi këtë fotografi një narrrativë, që këta janë duke ngrënë e duke pirë dhe jo 3 metra mbrapa. Më nxore një video që janë tre metra mbrapa meje. Nëse unë sot do ktheja kokën dhe këta mbrapa do të thotë që i njoh.
