Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca ka reaguar për ndryshimet në ligjin antishpifje. Ai shkuan se ligji duhet të jenë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Në një status në Twitter, ambasadori thekson se BE është duke e ndjekur këtë çështje dhe kërkon nga institucionet që të kryejnë konsultimet e duhura me përfaqësuesit e mediave dhe shoqërinë civile para bërjes së ndryshimeve në ligj.
“Çdo amendim në draftin e ligjit antishpifje duhet të jetë në përputhje me rekomandimet e bëra nga Komisioni i Venecias mbi këtë çështje. Autoritetet shqiptare janë zotuar që të vijojnë të punojnë me këtë ligj për të adresuar të gjitha problemet e nënvizuara nga opinioni i Komisionit të Venecias. Ne kemi mbajtur shënim deklaratën e bërë dje nga shumica qeverisëse se do të ndjekë këto rekomandime dhe se konsultimet e duhura do të ndërmerren. Ne inkurajojmë autoritetet të ndërmarrin konsultimet e nevojshme me organizatat mediatike dhe shoqërinë civile duke marrë parasysh pikëpamjet e shprehura nga organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare të mediave. Ne do të vazhdojmë të ndjekim nga afër zhvillimet në lidhje me këtë legjislacion të rëndësishëm, në mënyrë që paketa të vihet në përputhje me të gjitha standardet përkatëse ndërkombëtare dhe evropiane.”, shkruan Soreca.
Në raportin e tij final për ligjin antishpifje, Komisioni i Venecias u shpreh se ai ishte i pazbatueshëm dhe se kishte problematika në formulim dhe në koncept.

