Në Tiranë po organizohet konferenca “Sfidat e Prokurorisë së Përgjithshme në Dritën e Reformës në Drejtësi”. Në fjalën e tij kryeprokurori Olsian Çela tha se objektiv primar mbetet forcimi i pavarësisë së prokurorëve. Nga vetingu tha ai janë larguar shumë gjyqtarë e prokurorë e për rjedhojë ka ngarkesë në punë, ndërkohë që verëjti se ka mungesë magjistratësh.
“Organet e drejtësisë kanë mungesë të theksuar të magjistratëve. Reforma në drejtësi është ende në proces. Reforma në drejtësi ka sjellë ndryshime rrënjësore. Edhe pse procesi i vetingut nuk ka arritur ende në mesin e rrugëtimit të tij nga pikëpamja sasiore, organet e drejtësisë po ballafaqohen me mungesa të theksuara në burime njerëzore për shkak të largimeve të magjistratëvve nga procesi i rivlerësimit kalimtar, ndërkohë që një pjesë e madhe e magjistratëve janë ende në proces apo nuk e kanë nisur procesin. Shtimi i ngarkesës së punës në çdo prokurori ka krijuar një situatë emergjence, pasi ndërsa jemi në vitin e katërt të reformës, ende nuk ka një perspektivë të qartë se kur sistemi do të funksionojë me kapacitete të plota. Objektiv primar mbetet forcimi i pavarësisë sëprokurorëve.”, u shpreh Olsian Çela.