Ditën e shtunë në orën 16:45, Vllaznia do të presë në shtëpinë e saj në “Loro Boriçi” kryesuesit e Tiranës për të zhvilluar mes tyre sfidën e javës së 25-të të Abissnet Superiore. Në kuadër të këtij takimi, tranjeri i shkodranëve, Thomas Brdaric tha në një konferencë për shtyp se takimi me bardheblutë është shumë i vështirë. Megjithatë, skuadra është e uritur për pikë dhe do të bëjë maksimumin për të marrë rezultat pozitiv në këtë përballje.
Gjatë zhvillimit të konferencës ka ndodhur edhe diçka interesante, ku energjia elektrike u ndërpre për një moment. Prishje tersi apo fat, kjo pritet të shihet nesër në Shkodër.
“Për mua s’është vendimtare ajo që do ndodh në maj. Tema e ditës është ajo që do ndodhë nesër kundër Tiranës. Secili trajner bën planet e ndeshjes, Tirana ka arsye për të qenë e qetë duke marrë parasysh diferencën që ka në renditje. Me secilin ekip që luajmë, e dinë që kundër nesh do jetë e vështirë. Ne jemi të uritur për të marrë pikë.
Kupa? Për mua nuk kishte rëndësi se me kë do ndesheshim, janë skuadra të forta në këtë fazë. Duhet të eleminojmë një ekip të fortë si Partizani për të shkuar në finale. Do jenë dy ndeshje shumë të forta.
Çoba në konferencë me ju, titullar nesër? Çoba është një nga lojtarët e rinj, i cili ka ekspereincë dhe mua më pëlqen qasja e tij, është i disiplinuar. I uroj fat jo vetëm për nesër por edhe në karrierë”, tha Brdaric.
Pritet që kjo ndeshje të jetë e fortë dhe goxha interesante, me kuqeblutë e Thomas Brdaric të cilët do të kërkojnë fitoren për të tentuar vendin e 3-të në renditje.
