Këngëtarja e njohur Duffy i ka shkruar një letër të hapur CEO-së së Netflix, Reed Hastings, ku i kërkon të heqë filmin “365 Days” nga platforma, për shkak se promovon rrëmbimin, trafikimin seksual dhe përdhunimin. Kohët e fundit ky film ka qenë në top 10 e më të ndjekurve në Netflix.
“365 days” tregon historinë e një gruaje, Laurës, e cila shkon të vizitojë Siçilinë, udhëtim që shpreson të ringjallë lidhjen e saj të dashurisë. Ndërkohë atje njihet me anëtarin e mafias siçiliane, Massimo-n, i cili e rrëmben dhe i jep një vit kohë që të bjerë në dashuri me të. (Po skenari i filmit është sikur është marrë nga ndonjë histori Facebook-u.) Aktorët protagonistë janë Michelle Marrone dhe Anna Maria Sieklucka, ndërkohë që është një produksion polak, i bazuar në librin me të njejtin emër.
Duffy thotë për këtë film se është duke promovuar realitetin brutal të trafikimit seksual, rrëmbimit dhe përdhunimit, komplet e kundërta e asaj që industria e prodhimeve kinematografike duhet të bëjë. Sipas këngëtares këto çështje nuk duhet të komercializohen absolutisht në këtë mënyrë.
“Nuk dua të jem në këtë pozicion, duke ju shkruar, por fakti që unë kam vuajtur më detyron, sepse kam rënë vetë viktimë e një eksperience të dhunshme, të cilën ju e përshkruani si ‘filmi erotik për të rritur’. Nuk e di si e keni marrë vendimin për ta përfshirë këtë film në platformën tuaj. Kur unë u drogova dhe u përdhunova, isha aq me fat sa të shpëtoja, por të tjerë nuk ja kanë arritur dot. Tani më duhet të shoh që këto tragjedi, tragjedia e jetës time, të erotizohet dhe të paraqitet në këtë formë. Për të gjithë ata që mund të thonë ‘Është thjesht një film’, nuk është aspak kështu, që në momentin kur ka aq influencë sa ta paraqesë në këtë formë diçka për të cilën nuk flitet pothuajse fare. Trafikimi dhe rrëmbimi nuk kanë asgjë erotike.”- shkruan artistja ndër të tjera.
Ndërkohë edhe një peticion online po qarkullon, ku kërkohet e njejta gjë, heqja e filmit nga platforma Netflix, e cila bën të mundur që ai të shihet në të thuajse të gjithë botën.