Për shkak të kanosjes me mjete shpërthyese, Policia e Kosovës thotë se është mbyllur përkohësisht Aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë. Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet relevante, ka ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore, ku për shkaqe sigurie ka mbyllur përkohësisht aeroportin.
“Policia e Kosovës, sot në orët e paradites ka pranuar një informacion me përmbajtje kërcënuese, për mjete shpërthyese në Aeroportin ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ në Prishtinë. Bazuar në këtë informacion, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet relevante, ka ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore, ku për shkaqe sigurie ka mbyllur përkohësisht aeroportin. Me qëllim të hetimit, kontrollit dhe masave të sigurisë, janë angazhuar njësitet relevante, andaj kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve. Policia e Kosovës do të vazhdoj të ju mbaj të informuar lidhur me zhvillimet e mëtejme deri në hapjen e aeroportit për qarkullim”, thuhet në njoftim.
Po ashtu zëdhënësja e Aeroportit, Valentina Gara, ka konfirmuar se kanë pranuar një kërcënim me bombë. “Konfirmojmë se kemi pranuar një kërcënim me bombë. Udhëtarët dhe personeli janë evakuuar dhe janë të sigurt. Ekipet e involvuara në planin emergjent janë duke kryer detyrat e tyre”.
