Nëse jeni në kërkim të një banese në kryeqytet, çmimet më të lira i ofron periferia dhe vijnë duke u shtrenjtuar në bazë të afërsisë me qendrën apo të zonave me kërkesë të lartë dhe me blloqe të mirë organizuara banimi.
Kështu, qeveria ka bërë zyrtare çmimet mesatare të referencës së shitblerjes për m2 për banesat në Tiranë, të cilat fillojnë nga dyshemeja prej 23 mijë lekë m2 në Shëngjergj duke arritur maksimalen në 190 mijë lekë m2 në njësinë administrative nr 5.
Nga ish komunat që janë bërë pjesë e Bashkisë së Tiranës, çmimet më të shtrenjta janë kryesisht në Farkë, Dajt, Kashar, Petrelë dhe Peze edhe pse zona në zhvillim, ku një m2 kushton mbi 53 mijë lekë. Sa i përket njësive historike të kryeqytetit, njësia ku mund të gjesh apartamente me çmime më të arsyeshme është ajo 11, që korrespondon me zonën e Laprakës, ku variojnë nga 70-87 mijë lekë.
Megjithatë, pothuajse në çdo njësi, ka nënndarje të zonave që mesa duket nuk janë shumë të preferuara dhe kanë çmime që janë më të përballueshme për qytetarët, të cilat zbresin deri në 60 mijë lekë m2.
Ajo që vihet re është se nga vendimi i një viti më parë qeveria nuk ka bërë ndryshime në çmimet e referencës, ndërsa në realitet, qytetarët duhet të paguajnë çdo ditë e më shumë për blerjen e një apartamenti.
Elisabeta Dosku/SCAN