Kryeministri Edi Rama nga Dibra, ku ndodhet në kuadër të Këshillimit Kombëtar për të bashkëbiseduar me qytetarët, tha se kjo është një përpjekje e re në vazhdën e rrugës së socialistëve për të ndërvepruar sa më shumë me qytetarët dhe një hap më tutje për përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrjet e rëndësishme të qeverisë.
Më tej Rama shtoi se është me rëndësi që opinioni i qytetarëve të merret parasysh në vendimmarrjen e qeverisë.
“Çështja e kursimeve të emigrantëve. Ne e dimë shumë mirë historinë e emigracionit në Shqipëri, përpjekjet e jashtëzakonshme të tyre për të fituar duke punuar dhe për të kursyer për të ndihmuar dhe familjet. Ka pa diskutim shumë kursime të emigrantëve të bëra në vite të cilat nuk janë të formalizuara. Procedurat janë të tilla që kërkojnë justifikime nëpërmjet dokumenteve dhe që vënë përpara vështirësish të jashtëzakonshme për të justifikuar burimin e atyre të ardhurave. Këtu flasim për burim nga puna, jo për aktivitete kriminale. Përderisa në shumë vite dhe qeveri të mëparshme e kanë tentuar këtë vendim dhe nuk e kanë marrë, do të thotë që nuk është një vendim i lehtë. Për këtë arsye kemi vendosur të pyesim njerëzit, a duhet ne t’i japim mundësi emigrantëve të legalizojnë paratë e fituara nga puna dhe të kenë mundësi që këto para t’i depozitojnë në banka”, tha Rama.
