Chris LaCivita, një strateg republikan që ndihmoi në drejtimin e fushatës së Presidentit Trump, po këshillon një parti opozitare konservatore në Shqipëri, e udhëhequr nga një politikan që është përballur me akuza për korrupsion nga Departamenti i Shtetit dhe prokurorët vendas, shkruan New York Times në një artikull botuar mbrëmjen e djeshme online.
Z. LaCivita, i cili u bë këshilltar i një organizate jofitimprurëse pro-Trump pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në SHBA, është ndër disa këshilltarët e Trump që kanë ndjekur punë konsulence politike në mbarë botën për politikanë që e paraqesin veten si populistë ose kritikë të emigracionit në stilin e Trump.
LaCivita po punon për Partinë Demokratike të Shqipërisë në prag të zgjedhjeve parlamentare të vendit në maj, kur ajo do të përpiqet të mposhtë Partinë Socialiste në pushtet. Në mesazhe me tekst për The New York Times, ai e karakterizoi punën e tij si një vazhdim të ndihmës për Trump.
“Po eksportoj MAGA — Make Albania Great Again!” shkroi LaCivita.
Lideri i Partisë Demokratike të Shqipërisë është Sali Berisha, një ish-president dhe ish-kryeministër që përballet me akuza për korrupsion në Shqipëri në lidhje me një marrëveshje pronësie. Administrata Biden vendosi sanksione ndaj Berishës në vitin 2021 për “korrupsion të rëndësishëm,” sipas një deklarate të ish-Sekretarit të Shtetit Antony J. Blinken, i cili e akuzoi atë për shpërdorim të fondeve publike dhe përdorimin e pushtetit për të pasuruar aleatët dhe familjen e tij.
LaCivita argumentoi se akuzat ndaj Berishës ishin të motivuara politikisht dhe sugjeroi se përvoja e tij përputhej me atë të Trump.
“Është një përshtatje e natyrshme — mundja e një socialisti që është një vegël dhe kukull e familjes Soros,” tha LaCivita, duke përmendur pretendime të pabazuara të Berishës se donatori miliarder George Soros ishte pas sanksioneve. Berisha ka treguar se synon t’i kërkojë administratës Trump të rishqyrtojë sanksionet e Departamentit të Shtetit.
Berisha e ka përdorur angazhimin e LaCivita-s si një mënyrë për t’u lidhur me Trump, megjithëse presidenti amerikan nuk ka shprehur mbështetje për ndonjë parti të preferuar në zgjedhjet parlamentare. Berisha gjithashtu është përpjekur të diferencohet nga partia në pushtet duke premtuar se, nëse opozita fiton, nuk do ta rinovojë marrëveshjen e Shqipërisë për të pranuar emigrantë nga Italia.
Strategët e fushatave presidenciale fituese, prej kohësh kanë ofruar shërbimet e tyre në mbarë botën. Ka shpesh kërkesë të lartë nga politikanët e huaj për këshilltarë me lidhje me presidentin e ri të SHBA, pasi paraqitja si kandidati i favorizuar i Uashingtonit mund të sjellë avantazhe në shumë pjesë të botës.
Por LaCivita, i cili u shfaq këtë muaj me Berishën në një konferencë për shtyp në Shqipëri, tha se nuk do t’i drejtohej administratës Trump në emër të Berishës apo partisë së tij.
“Unë nuk bëj lobim,” tha LaCivita. “Bëj fushata dhe pikërisht këtë po bëj — është shumë e qartë.”
Pas zgjedhjes së Trump në nëntor, LaCivita u përfshi në disa projekte. Ai pranoi një pozicion në bordin këshillimor të firmës së marrëdhënieve qeveritare Michael Best Strategies, e cila bën lobim për klientë të korporatave si T-Mobile dhe kompania e kriptomonedhave Ripple Labs, megjithëse ai vetë nuk u regjistrua si lobist.
Ai gjithashtu iu bashkua këshillit këshillimor global të bursës së kriptomonedhave Coinbase. Po ashtu, ai bashkëpunoi me këshilltarë të tjerë të lidhur me Trump, përfshirë Paul Manafort, i cili ka shërbyer si kryetar i fushatës së Trump në 2016, për të ofruar shërbime konsulence politike për politikanë të krahut të djathtë në mbarë botën.
LaCivita nuk pranoi të thoshte nëse këshilltarë të tjerë ishin të përfshirë në punën në Shqipëri, dhe disa prej tyre nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. Ai gjithashtu nuk pranoi të thoshte nëse kishte klientë të tjerë të huaj, por sugjeroi se kishte udhëtuar gjerësisht.

