Këshilltari i Kongresit Amerikan, Robert Hand në një intervistë për Zërin e Amerikës ka quajtur si zhgënjyese faktin që ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati nuk është më në këtë detyrë.
Hand ka folur për vendimin e OSBE-së për t’ia lejuar drejtimin Shqipërisë në vitin 2020, por është treguar kritik për faktin se ministri i ri nuk ka përvojën e Ditmir Bushatit.
Sipas tij, OSBE ishte pajtuar dhe pranoi idenë që Shqipëria ta drejtonte OSBE-në, por tashme sipas tij ky vendim është në pikëpyetje.
“Mund t’ju them se vitin e kaluar, kur dëgjuam për herë të parë që Shqipëria propozoi të kryesonte OSBE-në në vitin 2020, unë u tregova jashtëzakonisht mbështetës. Është një mundësi e mire për Shqipërinë që të mos jetë një importuese e sigurisë dhe stabilitetit nga jashtë, por të kontribuojë në fakt për sigurinë në të gjithë rajonin e OSBE-së. Dhe unë mendoj se ajo mund ta bënte këtë shumë mirë. Ajo ka një trup diplomatik shumë profesional, ministri i Jashtëm që po e mbështeste këtë ide, ishte kompetent, ai kishte shumë vite përvojë. Por ishte shumë zhgënjyes fakti që brenda një muaji pasi OSBE-ja u pajtua me idenë, në ministrinë e jashtme pati ndryshime. Ju e dini: tani ka një pikëpyetje nëse kjo përvojë është ende aty për të arritur ta shtyjë përpara OSBE-në”, theksoi Hand.
