Me anë të një komunikimi, ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi deklaroi se Kryqi i Kuq i Kinës do të ofrojë ndihmë humanitare për Ukrainën.
Ministri i Jashtëm kinez nuk hezitoi të përsëriste thirrjen e tij për dialog mes palëve dhe për zgjidhje të konfliktit në rrugë diplomatike. Ai theksoi se miqësia e Kinës me Rusinë vazhdon të jetë e fortë dhe perspektivat për bashkëpunim janë shumë të mëdha.
Ky vendim i Wang Yi vjen disa orë pasi kryeministri i Australisë, Scott Morrison i kërkoi Kinës të marrë masa ndaj Rusisë. Gjatë ditës së djeshme, Morrison mbajti një fjalim ku tha se Kina ka folur vazhdimisht për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial.
“I takon Kinës, në këtë pikë kyçe të historisë, të tregojë se këto janë më shumë se vetëm fjalë”, u shpreh Morrison, duke shtuar se “asnjë vend nuk do të kishte më shumë ndikim tek Rusia sesa Kina”.
Deri më tani, qeveria kineze nuk ka vendosur ende asnjë sanskion kundër Rusisë. Por në fillim të kësaj jave, Yi sinjalizoi se Kina ishte e gatshme të ndërmjetësonte armëpushimin midis dy vendeve.
