Kineastë dhe gazetarë të njohur britanikë e gjermanë, së bashku me akademiken Lea Ypi, e mirënjohur botërisht nëpërmjet librit të saj “Të lirë”- ishin në arkivin e ish-Sigurimit të Shtetit. Një vizitë e ngacmuar nga kontakti i tyre me kulturën dhe historinë shqiptare.
Të organizuar, nga Joanne Ooi, themeluese e EA Festival, një festival letrar shumë i njohur në Mbretërinë e Bashkuar, ata janë një ekip shkrimtarësh, publicistësh dhe mendimtarësh të mirënjohur që i japin jetë nismës “Liri dhe Transformim”, e cila mbyll edhe Javën Kulturore Britanike (16-22 shtator) në Tiranë.
Ekspertë të temave nga historia dhe kultura ballkanike, të drejtat e njeriut, migracioni, çështjet e sigurisë, nga politika te poezia, gazetarë, teksa vizituan arkivin e AIDSSH, iu ndez kërshëria për të njohur më thellë të kaluarën e Shqipërisë, mekanizmin e errët të shtypjes dhe pasojat gjatë sundimit të regjimit diktatorial.
