Policia Kufitare e Vlorës i erdhi në ndihmë një shtetasi gjerman, i cili kishte humbur kontaktet me familjarët, pasi kishte probleme me drejtimin e velieres në ujërat detare shqiptare, për shkak të motit të keq.
Mjeti lundrues u lokalizua në grykëderdhje të lumit Vjosë, i ngecur në cekëtinë.
Pas marrjes së njoftimit nga Interpol Tirana, në kuadër të shkëmbimit të informacionit me zyrën homologe të Interpolit në Gjermani, se një shtetas gjerman, i cili ishte nisur me mjet lundrues veliere, nga Korfuzi në drejtim të Sllovenisë, kishte humbur kontaktet me familjarët e tij, gjatë drejtimit të mjetit lundrues në ujërat detare të Shqipërisë, menjëherë shërbimet e Policisë Kufitare kanë organizuar punën për kërkimin e mjetit lundrues dhe shpëtimin e shtetasit që e drejtonte atë.
Pas disa orësh kërkime, u bë i mundur lokalizimi i mjetit lundrues në cekëtinë, në grykëderdhje të lumit Vjosë, së bashku me kapitenin, të cilit iu dha ndihma e parë dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.