Gazmend Musta tronditi qytetin e Ballshit pasditen e 2 janarit, më vrasjen me thikë të gruas dhe të kunatës së tij. Ai tani ndihet i penduar.
Viktima të krimit makabër mbetën Gentiana Çaushaj, 31 vjeçe, që është bashkëshortja e autorit, dhe motra e saj, Merisa Çaushaj, 18 vjeçe, kunata e autorit. Gazmend Musta, gjatë marrjes në pyetje, ka shprehur pendesë për krimin duke treguar se shkak ishte bërë kërkesa e bashkëshortes për të shkuar të prindërit e saj, me të cilët kohet e fundit vetë ai nuk kishte marrëdhënie të mira.
Në çastin e debatit, 34-vjeçari ka qenë i dehur dhe pasi ka humbur kontrollin, i ka qëlluar me thikë për vdekje, në fillim gruan dhe më pas kunatën. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 17:30 minuta në banesën e çiftit, në një pallat në lagjen “5 Shkurti” të qytetit të Ballshit.
Shkak i sherrit është bërë kërkesa e 31-vjeçares për të shkuar te prindërit e saj për festa. Musta mësohet se ka qenë për drekë tek i ati në fshatin Drenovë dhe sapo ishte kthyer në shtëpi. E shoqja i ka kërkuar që të shkojë edhe ajo të vizitojë prindërit e saj, ndërsa i ka vënë në dukje edhe faktin që ai ishte i dehur.
Kjo duket ta ketë acaruar edhe më shumë kryefamiljarin, i cili ka marrë thikën dhe e ka qëlluar të shoqen në pjesën e kraharorit. Ajo ka tentuar të mbrohet duke e shtyrë, por ai e ka qëlluar edhe disa herë të tjera duke e lënë të vdekur në vend. Sherrit për t’i hequr motrën nga duart i është bashkuar edhe motra e viktimës, por edhe ajo ka pasur të njëjtin fat.
Autori, i errur nga urrejtja, e ka qëlluar edhe atë disa herë. Gruaja vdiq në vend, ndërsa kunata e tij rrugës për në spital. Pasi i ka lënë të mbuluara në gjak, autori ka dalë për t’u larguar nga banesa, por fqinjët kishin njoftuar Policinë pas të bërtiturave për ndihmë që kishin dëgjuar nga shtëpia e tyre.
Policia e vuri në pranga në hyrje të pallatit në tentativë për t’u larguar. Çifti kishte dy fëmijë, 3 dhe 7 vjeç, të cilët kanë qenë në banesë në momentin e ngjarjes. Fqinjët e familjarëve të përfshirë në konflikt kanë thënë se çifti ishte emigrant në Greqi dhe ishin kthyer disa ditë para vitit të ri për të kaluar festat pranë familjarëve.
“Dëgjuam zhurmat dhe lajmëruam Policinë. Nuk menduam se i vrau, por e pamë që ai kishte ardhur i dehur nga fshati dhe na ra në sy që mezi qëndronte nga pija. Ata ishin të rregullt dhe shumë familjarë. Punonin në Greqi. Vetëm për festa vinin”, tregon një prej fqinjëve. Çështja i ka kaluar Gjykatës për Krimet e Rënda dhe nesër pritet që për autorin të jepet masa e sigurisë.