Ai thotë se ai nuk është vetëm i PS-së, por dhe PD-së, pasi ka qenë drejtor në kohën e qeverisjes së Berishës.
“Përgjatë 6 viteve në pushtet Rama ka promovuar dhe mbrojtur stoikisht figura të lidhura me krimin, që kanë kryer vepra të rënda penale, por më në fund i ka braktisur. I tillë është edhe rasti i Valdrin Pjetrit të dënuar nga gjykata e Firences në 12 qershor 2003 për shpërndarje dhe prodhim të lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim.
Karriera e tij në administratën shtetërore implikon njëlloj si Rilindjen dhe SHQUP-in. Ky person i dëbuar nga Italia, gjatë qeverisjes së Berishës në vitet 2010-2014 kishte detyrën e administratorit të Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (ligji Anti Mafia dhe Financim Terrorizmi).
Më pas, në qeverinë e Ramës, mbajti pozicionin e drejtorit të Drejtorisë së Pronave, kryetar i Komisionit të Demontimit të Municioneve dhe drejtor i Përgjithshëm i Shërbimeve Mbështetëse në Ministrinë e Mbrojtjes.
Nga janari në maj 2018 ishte kryeregjistrues në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë dhe më pas Prefekt në Shkodër”, thotë Kokëdhima./Tema/