Një punonjës i burgut të Fushë Krujës tentoi të fuste sende të ndaluara si celularë dhe kokainë. Punonjësi me iniciale H.Ç, ka hedhur një qese të zezë me peshë rreth 6 kg në një nga tarracat e regjimit të jashtëm. Kjo me synimin për t’i futur më pas në regjimin e brendshëm.
Zona u rrethua dhe u njoftua Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve (SHKBB) dhe Policia e Fushë-Krujës. Brenda pakove u gjetën 22 celularë, 3 doza kokainë dhe 30 koka përshtatëse karikuesi nga Android në iPhone.
Pakot u gjetën të hedhura në tarracën sipër depos së armatimit. Punonjësi akuzohet për “Futja e sendeve të ndaluara” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike në bashkëpunim”.