Shtatë kg kokainë dhe rreth 150 mijë euro cash u gjetën në një kamion frigorifer në portin e Barit. Kamioni vinte nga Holanda dhe destinacion kishte Shqipërinë, bëjnë të ditur autoritetet italiane.
Kamioni ishte gati për tu nisur drejt Shqipërisë, përveçse 20 ton patate të ngrira që transportonte “zyrtarisht” kishte dhe një tjetër ngarkesë, kokainën dhe paratë. Ato ishin fshehur në një fund të dyfishtë në kabinën e shoferit, mbyllur dhe vështirë për tu gjurmuar.
Agjencia e Doganave e bllokoi mjetin në mes të kontrollit teksa ishte për tu ngarkuar në anije. Policia sekuestroi saktësisht 6 kg e 775 gramë kokainë dhe 151.640 euro, gjithashtu edhe mjetin. Dy shqiptarë që ishin në bord janë arrestuar ndërkohë për trafik ndërkombëtar të drogës, por mediat italiane nuk bëjnë të ditur emrat. Hetimet vijojnë për të zbuluar personat e tjerë të përfshirë në trafik.
