“Komisioni Antikurrpsion po kundërshtohet ashtu si u kundërshtua Reforma në Drejtësi, por në fund do të shihen frytet e tij”, tha ish-ministri i Drejtësisë, Fatmir Xhafaj në A2 CNN. Kryetari i komisionit të posaçëm tha se ideja për këtë nismë lindi pas një takimi me kryeministrin Rama në tetor 2023, ku u fol për qeverisjen, korrupsionin, sundimin e ligjit.
“Ai ishte gjithashtu shumë i shqetësuar për zbatimin e masave të shumta dhe mekanizmave që duheshin ndërtuar për të adresuar rekomandimet e dala nga progres raporti i BE, zbatimi i të cilave ishte domosdoshmëri për të përshpejtuar procesin e integrimit. Partnerët e vlerësuan si zgjidhje shumë të mirë dhe vendosën ta mbështesin”, tha Xhafaj.
Deputeti socialist zbuloi se propozimi për të drejtuar komisionin erdhi nga Rama. “Ishte një sfidë për mua. E mendova gjatë. Është një reformë shumë e madhe, shumë e vështirë, por në finale ne jemi këtu për të shërbyer, për të bërë detyrën”, tha ai.
Xhafaj pranoi se pjesëmarrja e opozitës në komision është shqetësim për socialistët, pasi Partia Demokratike dhe aleatët e kanë bërë të qartë që nuk do të jenë pjesë e tij. “Është një shqetësim i yni. Opozita është faktor i rëndësishëm në këtë proces. Por opozita bën zgjedhjet e saj. Ajo ka vendin e vet, zgjedh opozita se çfarë do të bëjë me rolin dhe vendin e saj. Në këtë rast, si edhe në disa raste të tjera, opozita ka zgjedhur formën e gabuar, pra bojkotin. Por kjo nuk do të thotë se Kuvendi nuk duhet të vazhdojë”, tha Xhafaj.