Komisioni i Disiplinës ka dhënë vendimet ditën e sotme, për sa i përket ndeshjeve në turin e parë të Kupës së Shqipërisë.
Në këtë situatë, lojtari i Dinamos, Plarent Fejzaj është dënuar me 4 ndeshje pezullim për sjellje josportive ndaj kundërshtarëve.
Dënimit nuk i ka shpëtuar as lojtari i Skënderbeut, Shqiprim Taipi, i cili është dënuar me 1 ndeshje pezullim, përsëri për sjellje josportive ndaj kundërshtarit.
Gjithashtu Luftëtari, për braktisjen e ndeshjes së vlefshme për Kupën e Shqipërisë kundër Elbasanit, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0 dhe dënohet me mospjesëmarrje në sezonin pasardhës të Kupës së Shqipërisë, megjithatë kjo vjen në një moment kur klubi është shkrirë.
VENDIMET E PLOTA:
1. Lojtari i FK Dinamo, Plarent Fejzaj, për sjellje josportive ndaj kundërshtarëve, në bazë të Nenit 47/1/d të KDS dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.
2. Zyrtari i KF Egnatia, Klaudian Dervishi, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 55/2 të KDS dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.
3. Lojtari i KF Skënderbeu, Sciprim Taipi, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 47/1/d të KDS dënohet me 1 (një) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.
4. Lojtari i FK Tomori, Orgest Gava, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 47/1/d të KDS dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.
5. KF Luftëtari, për braktisjen e ndeshjes së vlefshme për Kupën e Shqipërisë kundër FK Elbasani, në bazë të nenit 54/1 të KDS dhe Nenit 109/2/a/c të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0 dhe dënohet me mospjesëmarrje në sezonin pasardhës të Kupës së Shqipërisë./ Panoramasport
