Duke filluar nga 1 marsi, qytetarët do duhet që të paguajnë me lekë në dorë shërbimin e transportit urban në Tiranë. Pas ultimatumit që Unioni i Transportit Publik i dërgoi qeverisë që ajo të përmbushte kërkesat e tyre në lidhje me uljen e çmimit të karburantit, nga e cila nuk morën një përgjigje, këtë herë shoqata ka vendosur të ndëshkojë qytetarët duke hequr nga qarkullimi abonetë.
Këtë veprim ekstrem, ata e legjitimojnë me justifikimin se nuk janë përmbushur kërkesat e tyre nga qeveria për heqje të akcizës dhe TVSH-së si edhe subvencionimin e aboneve për personat me aftësi të kufizuara. Dëm të madh në këtë histori pësojnë edhe qytetarët, të cilët kërcënohen se do të lihen në këmbë nga 1 marsi 2022 e në vazhdim.
Unioni i Transportit Publik ka deklaruar: “Plotësoni kërkesat ose kyçim autobuzët.”
Njoftimi
Në vijim të shkresave dërguar të gjitha institucioneve vendimmarrëse në lidhje me problematikat e transportit publik qytetas në nivel kombëtarë, që kanë të bëjnë me pamundësinë financiare të operimit normalisht, informojmë qytetarët se në mungesë të një ndihme reale nga Qeveria, janë të pamundur për të ofruar të gjitha shërbimet e këtij aktiviteti.
Sa më sipër, për muajin Mars, nuk mund të ofrohet si shërbim me bileta të pajtimit mujor (ABONE), pasi aktiviteti që ne përfaqësojmë ndodhet në kolaps ekonomik.
Mbetemi ende me shpresën e një zgjidhje të kësaj situate sipas premtimeve të bëra!
