Konferenca e Kryetarëve vendosi pesë orë debat për në seancën e të enjtes për vendimin e presidentit Meta. Mbledhja u bë pas vendimit të kryesisë së Partisë Socialiste një ditë më parë, për të nisur procedurat për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.
Koha do të ndahet në mënyrë proporcionale ku 170 minuta do i ketë maxhoranca dhe nga 50 minuta grupet e opozitës. Ndërsa 30 minuta od të jetë për deputetët pa grup parlamentar.
Konferenca mori në shqyrtim kërkesën e kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Në këtë kërkesë ai kërkon një debat parlamentar pas vendimit të Metës për anulimin e datës së zgjedhjeve.
Në kërkesën që pritet të shqyrtohet paraditen e sotme, theksohet se: “Pasi u njohëm me aktin e paprecedent të Presidentit të Republikës për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018, ‘Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore’ dhe duke e vlerësuar atë si një akt absolutisht të pavlefshëm, të marrë në kapërcim të kompetencave të institucionit të Presidentit dhe në kundërshtim flagrant me parimet kushtetuese dhe demokratike, si dhe duke konsideruar se ky akt synon të pengojë në mënyrë të kundërligjshme realizimin e së drejtës kushtetuese të shtetasve shqiptare për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor, bazuar në nenin 98 të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë zhvillimin e një mocioni me debat në seancën më të parë të Kuvendit për këtë çështje, në përfundim të të cilit propozojmë miratimin e një rezolute sipas draftit bashkëngjitur”.
