Sali Berisha ka zhvilluar një takim bilateral me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, gjatë kongresit të PPE-së.
”Në fokus të diskutimeve ishte bashkëpunimi i ngushtë midis dy partive simotra, rëndësia e konsolidimit të vlerave të përbashkëta konservatore dhe sfidat që paraqet procesi i integrimit evropian për rajonin tonë. Palët ndanë pikëpamje të përbashkëta mbi nevojën për të forcuar koordinimin politik dhe mbështetjen reciproke”.
Zyra për shtyp e selisë blu bën me dije se kryeministri i RMV-së, Mickoski uroi Berishën dhe PD për një rezultat sa më pozitiv në zgjedhjet e 11 Majit.
”Ai theksoi rëndësinë e qëndrimit të qartë pranë aleancës me administratën Trump dhe këshilloi ruajtjen e një linje të fortë konservatore. Me shpresën që pas 11 Majit do bashkëpunojmë si dy qeveri të djathta që nuk ndajnë vetëm kufinjtë por shumë më tepër”, njoftoi PD-ja.
PD-ja thotë se “Mickoski ndau përvojën e tij në përballjen dhe mposhtjen e ndikimit të organizatave të financuara nga Open Society në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se pas fitores zgjedhore të partisë së tij, projekte të tilla si legalizimi dhe licencimi i kanabisit janë bllokuar”.


