Gjatë fjalës në Kongresin e PS-së, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaroi sot se drejtësia për 21 Janarin është provë themeli për të mbrojtur vlerat e civilizimit dhe të demokracisë në Shqipëri. “Për ne socialistët shqiptarë 21 janari është plagë dhimbje, por në këtë Kongres, ndryshe nga çdo herë tjetër, ndihemi paksa të lehtësuar në dhimbjen tonë, pasi vendimi i Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut në Strasburg më në fund i ka hapur rrugë drejtësisë”, u shpreh Manja.
“Vendimi i Gjyaktës Evropiane për të drejta të njeriut dëshmon më shumë se kurrë se drejtësia asnjëherë nuk e lë në harresë të drejtën. Çdo vendimmarrje e tillë, çdo shkëndijë për perspektivën e rivendosjes së të drejtave të shkelura më 21 janar, nga drejtësia e re sot na mbush me shpresë të gjithëve në këtë sallë, por dhe jashtë kësaj salle”, tha Manja.
Ai tha se tek drejtësia e ka zanafillën modernizimi i shtetit. “Vetëm një shtet që garanton në praktikë standardet e drejtësisë për qytetarin mund të përparojë e të modernizohet. Me ardhjen në pushtet të PS-së në vitin 2013 ne u premtuam shqiptarëve një drejtësi krejtësisht të pavarur. Aspiratë e zhvilluar që nga koha kur kjo parti ishte në opozitë. Votën plebishitare të 2013-ës ne socialistët shqiptarë e farkëtuam përmes një përpjekje historike, kushtetues edhe ligjore për t’i dhënë Shqipërisë drejtësinë që nuk e kanë pasur që prej themelit të shtetit shqiptar në 1912-ën”, u shpreh Manja.