Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri hapi fjalën në kongresin e PS-së, i cili tha se vendimmarrja e sotme i hap rrugë gjithë procesit të rinovimit në çdo degë të PS-së në të gjithë Shqipërinë.
“Ne socialistët e dimë mirë se suksesi nuk është përfundimtar, dështimi nuk është fatal, ajo që ka rëndësi është vullneti dhe kurajo për të vazhduar, për të parë të kaluarën dhe për të parë nga e ardhmja.” Nëse do të doja të përkufizoja ethosin e socialistëve është pikërisht, vullneti dhe kurajo për të vazhduar përpara pavarësisht vështirësive. Kjo është ajo që i karakterizon socialistët. Shumë syresh kohët e fundit, tek shohin shkërmoqjen dhe kacafytjen e kundërshtarëve, shtrojnë pyetjen, se përse PS si në opozitë por dhe në qeverisje, pavarësisht debateve dhe përplasjes së ideve, ka dalë gjithmonë më e fortë dhe më e ripërtërirë se me parë?! Shumë e ngrenë këtë pyetje. U them!! …është shumë e thjeshtë të “nderuar cinikë dhe skeptikë”; mjafton të kultivosh ndër vite njësoj si bimët , kulturën e debatit dhe respektimin e ideve, pavarësisht moshës dhe gjinisë; te preferosh lopatën që ndërton ne vend të kazmës që shkatërron; të urtësohesh kur të tjerët bërtasin, të përdorësh arsyen në vend të forcës; të jesh i përulur në manifestimin e fuqisë së pushtetit dhe të kuptosh që dhe fuqia e pushtetit ka limitet e saj, e që kurrë nuk lartësojnë as njeriun e zakonshëm e as udhëheqësin e lartë, por nxjerr ne pah vlerat dhe dobësitë. Kjo është ADN e Partisë Socialiste, dhe këtu gjen përgjigje dhe pyetja se përse kemi qenë dhe mbetemi më të votuarit dhe përse jemi më të mirët”, tha Gjiknuri.
Fjala e plotë e Sekretarit të Përgjithshëm të PS, Damian Gjiknuri:
Mirëditë të nderuar delegatë,
Në fakt është emocionuese teksa dëgjonim dhe himnin e Ukrainës krahas himnit shqiptar për të na kujtuar për kohët që jetojmë. Megjithatë ja ku jemi të gjithë bashkë për të filluar këtë Kongres të rëndësishëm për Partinë Socialiste. Suksese të gjithëve dhe faleminderit që jeni këtu sot.
Teksa jam në këtë sallë në fakt më kujtohet 31 vjet më parë kur një grup intelektualësh kurajozë skicuan disa ide social-demokrate,
në kushtet kur barra e trashëgimisë komuniste rëndonte fort e shpesh padrejtësisht mbi ta.
Një nga ata qëlloi të ishte dhe im atë, duke nxitur në mendjen time 18-vjeçare dilemën, çfarë i duhej këtij profesori të shkencave i studiuar jashtë, të bashkohej kundër rrymës së kohës që predikonte mes “fanfareve” sloganin “ne qeverisim bota na ndihmon”.?!
Ishin jo të paktë ata, që në ato vite të vështira tranzicioni për gjithë shoqërinë tonë, menduan se PS nuk mund të ishte tjetër, veçse një krijesë e re me ditë të numëruara.
Por pikërisht falë këtyre intelektualëve që hodhën ato ide, PS është ende, edhe sot, forca politike më vitale në vend.
PS me krenari është simboli i forcës politike me ide të reja, të guximshme, shpesh edhe të debatueshme në shoqëri dhe në momente të caktuara,
por gjithmonë duke guxuar në përballjen e sfidave të së ardhmes. Edhe pse shumë të panjohura na presin, nën drejtimin e PS, e ardhmja është gjithmonë më e sigurtë.
A ka patur gabime dhe dështime?! Patjetër po.
Por ne socialistët e dimë mirë se suksesi nuk është përfundimtar, dështimi nuk është fatal, ajo që ka rëndësi është vullneti dhe kurajo për të vazhduar, për të parë të kaluarën dhe për të parë nga e ardhmja.”
Nëse do të doja të përkufizoja ethosin e socialistëve është pikërisht, vullneti dhe kurajo për të vazhduar përpara pavarësisht vështirësive. Kjo është ajo që i karakterizon socialistët.
Shumë syresh kohët e fundit, tek shohin shkërmoqjen dhe kacafytjen e kundërshtarëve, shtrojnë pyetjen, se përse PS si në opozitë por dhe në qeverisje, pavarësisht debateve dhe përplasjes së ideve, ka dalë gjithmonë më e fortë dhe më e ripërtërirë se me parë?! Shumë e ngrenë këtë pyetje.
U them!! …është shumë e thjeshtë të “nderuar cinikë dhe skeptikë”; mjafton të kultivosh ndër vite njësoj si bimët , kulturën e debatit dhe respektimin e ideve, pavarësisht moshës dhe gjinisë;
te preferosh lopatën që ndërton ne vend të kazmës që shkatërron;të urtësohesh kur të tjerët bërtasin, të përdorësh arsyen në vend të forcës;
të jesh i përulur në manifestimin e fuqisë së pushtetit dhe të kuptosh që dhe fuqia e pushtetit ka limitet e saj, e që kurrë nuk lartësojnë as njeriun e zakonshëm e as udhëheqësin e lartë, por nxjerr ne pah vlerat dhe dobësitë.
Kjo është ADN e Partisë Socialiste, dhe këtu gjen përgjigje dhe pyetja se përse kemi qenë dhe mbetemi më të votuarit dhe përse jemi më të mirët.
Jo më pak se tre dekada më parë, të ishe socialist përballë revanshit të një të djathte të egër, ishte vërtet e vështirë.
Por të rinj, intelektualë, shkrimtarë e akademikë, ëndërrimtarë dhe idealistë, ndryshuan veten dhe partinë, për të ndryshuar më vonë gjithë Shqipërinë.
Vullnetarë dje, patronazhistë sot, që nga i riu që synon të anëtarësohet për herë të parë në partinë tonë e deri tek kryetari i saj, të gjithë së bashku, jemi jo thjesht zgjidhja e vetme, por e vetmja zgjidhje për Shqipërinë.
Historia e PS-së është pjesë e historisë moderne të Shqipërisë.
E kemi nisur me kurajo nga zero, me një shtet të rrënuar që në themele,dhe kemi ndërtuar themelet e shtëpisë sonë të përbashkët.
Ditëm të jemi opozitë konstruktive që qorton, por edhe në dispozicion të shndërrimit të qeverisjes në një hapësirë bashkëpunimi përtej vullnetit të numrave tanë dhe mazhorancës sonë.
Harmonizuam përvojën e të vjetërve me energjinë e të rinjve,
bëmë bashkë pjekurinë dhe vitalitetin, vumë në të njëjtën radhë senatorët dhe Freshistët duke mbajtur të re partinë.
Besuam kur shumëkush na shihte me dyshim dhe nuk dyshuam kurrë në misionin tonë:
Ne kemi nevojë të vetme Shqipërinë dhe Shqipëria ka gjithmonë nevojë për një politikë njerëzore. Këtë Partia Socialiste e ofron.
Ndërtuam ditë pas ditë identitetin tonë shtetformues duke u bërë identikiti i shërbëtorëve publik.
Luftuam betejat tona dhe fituam beteja për Shqipërinë, duke e shndërruar në forcën me progresiste në vend dhe simbol të saj , duke u bërë burim besimi, sigurie dhe garancie për zhvillim, shtetndërtim dhe reformatorë të një shteti social.
Trinomi aspak i shenjtë që nisi me tërmetin e 2019-ës, vazhdoi me pandeminë që gjunjëzoi botën dhe po vazhdon me luftën që duket nuk ka fund, po ndryshon botën. Në fakt këto janë
Sprova të mëdha me të cilat jemi në ballafaqim e sfidë pa asnjë shans tjetër, përveçse që t’i përballojmë ato siç dimë t’i përballojmë ne socialistët.
Ne sot mund të identifikojmë nevojën për një bashkëveprim më të mirë mes partisë dhe përfaqësimit të saj në çdo nivel të pushtetit,
për të siguruar sukses dhe akses, për të prodhuar më shumë demokraci e mirëqenie dhe për të shmangur kurthin e partisë-shtet.
Të bindur se demokratizimi i partisë është kusht parësor për demokratizimin e gjithë vendit, ne synojmë ta bëjmë organizatën tonë politike një shtëpi më të hapur për këdo që do të afrohet me ne dhe që kërkon të japë kontribut dhe jot ë sillet si agjent transaksional që kërkon vetëm të marrë mbrapsht nga kjo shoqëri.
Të nderuar delegatë,
Eksperienca e fituar në këto vite të qeverisjes, por dhe sfidat e të ardhshme që na presin duke filluar nga zgjedhjet e ardhshme lokale ,
diktojnë nevojën dhe për adoptimin e rregullave të reja statutore. Kjo për t’i krijuar më shumë fleksibilitet në vendimmarrjet e strukturave drejtuese të partisë gjithmonë në funksion të objektivave politikë dhe elektoralë;
Kërkojnë hapësirë më të madhe për përfshirjen e shumë strukturave dhe organizatave të reja jashtë anëtarësisë tradicionale të PS, me synim për ti përfshirë ato në partinë tonë.
Të tilla janë dhe rrjetet rinore të sapo janë organizuar, apo grupime të tjera mbi baza moshe, gjinie apo profesioni jashtë organizimit tradicional të PS.
Pikërisht këtij qëllimi i shërben edhe Statuti i ri i përmirësuar që i sillet këtij kongresi për miratim.
Qënia e gjatë në pushtet sjell rrezikun e vetkënaqësisë dhe rutinës, duke ulur aftësinë për të ndryshuar nga brenda, një recetë kjo e domosdoshme për jetëgjatësinë suksesin e një organizate politike apo dhe e çdo lloj organizate tjetër.
Fiks dje, ishte koha që ne të riaktivizohemi në të gjithë territorin e Shqipërisë, për të pasur struktura vitale edhe në organizatën socialiste më të largët.
Dhe pikërisht kësaj i shërben dhe vendimmarrja e sotme që i hap rrugën procesit të rinovimit të strukturave drejtuese në çdo degë të Partisë në Shqipëri, për t’u shtrirë më poshtë në çdo njësie vendore e deri te organizata bazë.
Edhe struktura e re ekzekutive që propozohet për herë të parë, këtij qëllimi i shërben,duke e bërë PS një parti moderne jo vetëm në ide, por dhe në organizim edhe në struktura dhe jo vetëm për të fituar zgjedhjet, por mbi të gjitha për t’u vetkorrigjuar gjithmonë dhe për të qenë gjithmonë një forcë e aftë për të konkurruar.
Besimi i qytetarëve tanë për një mandat të tretë qeverisës, duhet përkthyer padiskutim edhe në një përgjegjësi më të madhe për të dëgjuar shqetësimet, por dhe propozimet që na vijnë nga baza e partisë.
Ato kanë nevojë të diskutohen në strukturat tona politike, pse jo të reflektohen dhe në politikat tona qeverisëse.
Këshillimi kombëtar është një instrument që u dëshmua i dobishëm dhe që do të frymëzojë qeverinë për politika të reja.
Por përse mos frymëzohemi edhe ne për procese të ngjashme duke marrë mendime nga anëtarësia dhe simpatizantët e saj?
Kush më mire se organizatat socialiste që nëpërmjet teknologjisë së kohës e kanë mundësinë të japin opinionet e tyre dhe të jenë syri vigjilent se si ekzekutohen politikat e qeverisë dhe të pushtetit vendor në çdo cep të Shqipërisë?
Me mjetet e sotme kjo është shumë e mundur dhe pikërisht platforma digjitale që PS ka përgatitur jam I bindur që e mundëson këtë mjafton që të kemi pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve për të dhënë opinionet e tyre.
Partia Socialiste është vetëm grupi i saj parlamentar, por gjithë anëtarësia dhe lidhja e saj me komunitetet më të gjerë,me grupet e interesit, me fermerë, me sipërmarrës, me pensionistë me infermierë, me të gjitha shtresat që kanë interes për politikën publike, kërkohet vetëm një gjë, .
përfshirje, përfshirje, përfshirje e të gjithë atyre në politikbërjen tonë, Ky është çelësi i suksesit.
Të moshuarit dhe më të pamundurit duhet të jenë në themel të politikës sonë të përditshme, duke i shtruar gjithmonë pyetje vetes, çfarë bëmë sot më mirë për ta për të moshuarit dhe të pamundurit? Pse? Sepse kjo është në themel të Partisë Socialiste. Dhe kjo e lartëson emrin socialist kur pyet veten çfarë bëra një ditë më shumë dhe më mirë për këta njerëz të pamundur. Dhe unë hem kjo duhet të jetë motoja jo vetëm për të fituar zgjedhjet, por për të qenë në pushtet gjithmonë në të mirë të këtyre njerëzve.
PS ka ditur të jetë dhe është forca politike më e hapur për gratë, për gjysmën tonë më të mirë të shoqërisë.
Kabineti ynë qeveritar është kthyer model i mbështetjes dhe progresit të grave dhe vajzave në shoqëri.
Kështu duhet të jetë edhe forca jonë politike, një derë e hapur për cilëndo vajzë dhe grua që do të bëhet pjesë e PS.
Por jo kudo në territor ky proces kuptohet njësoj, prandaj është momenti që në të gjithë organizatat socialiste gratë dhe vajzat të ketë të njëjtën peshë në administrimin e organizatave socialiste, të mbajnë të njëjtën barrë, të njëjtën përgjegjësi.
Afrimi i të rinjve në politikë është treguesi më i mirë i edukimit qytetar, i demokracisë pjesëmarrëse dhe një garanci për të ardhmen e demokracisë.
Sigurisht zhgënjimi i shumë njerëzve dhe I të rinjve duhet të na bëjë dhe ne të reflektojmë për gjërat që nuk kanë shkuar shumë mirë, megjithatë indiferenca dhe cinizmi I shprehur thjesht dhe vetëm në mediat sociale, nuk I ndihmon të rinjtë. Prandaj është e domosdoshme që të rinjtë dhe të rejat të kuptojnë dhe të marrin vetë në dorë fatet e tyre dhe të vizatojnë të ardhmen e tyre.
PS ka qenë dhe do të jetë kurdoherë e hapur për ta dhe do të vazhdojmë për t’i integruar ata në gjirin tonë. Por nga kjo sallë, nisur nga kjo nevojë që besoj të gjithë e ndjejmë unë përfitoj të bëj një thirrje. U them të gjithë të rinjve, Popullojeni sa më shumë Partinë Socialiste duke qenë brenda keni mundësinë që ta ndryshoni me energjinë tuaj. Është më e lehtë se sa ta bësh atë nga jashtë prandaj j them të gjithëve bëhuni pjesë e kësaj organizate.
Në një shoqëri demokratike vërtet vendos shumica, por kjo nuk do të thotë se shumicat kanë gjithmonë të drejtë. Ndodh që e drejta qëndron dhe në anën e pakicës, madje edhe më shumë se kaq. Të drejtë mund të ketë edhe një individ përkundër një organizate. Partia Socialiste është rasti i duhur i një organizate politike që harmonia solidariteti vendosmëria për të ecur përpara buron nga shkrirja e vullnetit të një individi me ambicien e pakicës dhe me vullnetin e shumicës për t’i përfshirë këto brenda.
Partia Socialiste i është mirënjohëse gjithkujt që i ka dhënë e i jep asaj diçka, sado të vogël, me zotimin se do të vazhdojmë që kjo parti të bëhet më e mirë për të gjithë të tjerët.
Tashmë na ndajnë vetëm një vit nga zgjedhjet e ardhshme vendore, por problemi ynë nuk është të mundim kundërshtarët tanë; ne duhet të fitojmë garën me ambicien dhe objektivat tona!
Me bindjen që çdo gjë që arrijmë të bëjmë, është shumë më pak se ajo që ne mund të bëjmë.
E taksa mundohen ta përmbyll këtë fjalë time të pare, ju përmenda pak më parë tim atë, një socialist të vjetër, por tani dua të përmend një At të të gjithë socialistëve, Dritëro Agollin, të paharruarin, i cili thoshte:
“Kush rreh gjoksin, tremb zemrën!”,
Ne nuk duhet të rrahim gjoksin, por shpresojmë t’i vëmë zemrën edhe më tej sfidave të nesërme.
Sepse jam i bindur që edhe punët e vogla të atdheut tonë të madh, mund të bëhen shumë më mirë me kurajo , me zemër dhe me dashuri.
Dhe socialistët i kanë të dyja, kanë dhe kurajon dhe dashurinë.
Suksese dhe mbarësi këtij Kongres!!!
I jam mirënjohës të gjithëve për kontributin dhe sakrificat që bëni, për familjet tuaja, për Shqipërinë.
Rroftë Partia Socialiste, Rroftë Shqipëria.