Projektet për energjinë, turizmin, kulturën dhe bujqësinë u prezantuan në panelin e dytë të Kongresit të Partisë Socialiste. Në fjalën e saj, zv/kryeministrja Belinda Balluku tha se do punohet për linjë nënujore transmetimi Shqipëri-Itali.
“Me ndihmën e BE-së kemi arritur të kemi konkretisht projekte sa i përket prodhimit solar dhe atij eolik, plan afatgjatë për diversifikimin që në vitin 2030 Shqipëria t’i shtojë pordhimit 4 terraëat, duke e kthyer vendin nga vend imoportues në vend eksportues neto, këto nuk janë plane, por projekte të mirëfillta, ashtu siç para pak ditësh kemi rënë dakord me qeverinë italiane dhe operatorët e transmetimit, duke përfshirë një nga partnerët ekonomikë më të rëndësishëm, Emiratet e Bashkuara Arabe, janë vendosur të jenë pjesë, projekti energjetik më i rëndësishëm për dekadën e ardhshme, ndërtimin e linjës së transmetimit të linjës nënujore mes Shqipërisë dhe Italisë, unë e di që kundërshtarët tanë shpeshherë mërziten, ata nuk arritën t’i bënin kurrë sepse ishin shumë të zënë me zullumet e tyre, për ne shqetësimi i kundërshtarëve nuk na ka shqetësuar. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shumë plane për të ardhmen”, tha Balluku.
Nga ana tjetër, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro gjatë prezantimit të objektivave të lidhura me turizmin tha se 9.53 milionë është shifra e turistëve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë deri në prag të fundvitit. Krahasuar me periudhën janar-nëntor të vitit 2022, është shënuar një rritje me 33%, sipas shifrave të bëra të ditura sot, theksoi ajo.
“Muaji nëntor ka shënuar një shifër prej 547221 hyrjesh të vizitorëve të huaj, një rritje e ndjeshme (53%) më shumë krahasuar me nëntorin e një viti më parë çka konfirmon trendet e shtuara për ta vizituar Shqipërinë në të gjithë muajt e vitit, një tregues pozitiv i rritjes së turizmit gjithëvjetor. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka nisur përgatitjet për pjesëmarrjen e Shqipërisë në panairet ndërkombëtare Fitur- Madrid dhe ITB-Berlin në të cilin Shqipëria do të jetë vendi i nderit për vitin 2025 me një program promovues njëvjeçar”, sipas Kumbaros.
