Në Romë deri më sot janë 131 kardinalë nga 133 që pritet të hyjnë në Konklavin e ardhshëm më 7 maj për të zgjedhur Papën e ri. Prej tyre, 127 sot ishin të pranishëm në Kongregacionin a Mbledhjen e nëntë të Përgjithshme, mbajtur paradite nga ora 9 deri në 12.30 në sallën e re të Sinodit, ku gjithsej morën pjesë 177 kardinalë. Këto janë përditësimet më të fundit të Matteo Brunit, drejtor i Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë.
Ai shpjegoi gjithashtu se puna e rinovimit në Casa Santa Marta për të akomoduar kardinalët po vazhdon me një ritëm intensiv dhe për këtë arsye do të përfundojë deri të hënën më 5 maj. Prandaj, kardinalët që marrin pjesë në Konklavin e ardhshëm do të mund të fillojnë të hyjnë në shtëpinë e Shën Martës duke filluar nga mbrëmja e së martës 6 maj, deri në mëngjesin e së mërkurës 7 maj, përpara Meshës “pro eligendo Pontificie” që është programuar për në orën 10.00 të 7 majit.
Në mbledhjen e sotme u zgjodhën edhe kardinalët që do të mbështesin kardinalin Marx, koordinator i Këshillit të Ekonomisë, për ditët në vijim në Komisionin që ndihmon Kamerlengun e Kishës, kardinalin Kevin Farrell, në mbarështimin e punëve të zakonshme. Këta janë kardinalët Robert Francis Prevost dhe Marcello Semeraro.