Konsulentët imobilarë, Arbër Brahaj dhe Orgest Beti, të ftuar në “Ora News” u shprehën se nuk parashikohet që në vendin tonë të ketë ulje të shitjes apo qirave të apartamenteve, por ekziston mundësia të kemi rritje.
Brahaj: Në qoftë se dikush mendon se do të vijë ulja e çmimeve bën mirë të shikojë statistikat mbi depozitat në Bankën e Shqipërisë, çdo vit rriten me 10%. Pra vetëm vitin që kaloi janë depozituar në Bankën e Shqipërisë pothuajse 600 milionë euro shtesë. Si e tillë, duke qenë se shqiptarët nuk kanë bursë, nuk kanë akses drejtëpërdrejtë për të blerë letra me vlerë, nuk kanë ku të investojnë. Duke qenë se kërkesa e qirasë është në rritje.
Beti: Mendoj që do të kemi stanjacion ose një rritje sepse i gjithë kapitali i grumbulluar do të futet në industri dhe do të blihen apartamente kryesisht, sepse është investimi më i sigurt me riskun praktikisht zero. Kështu që e shikoj që nuk do të ketë ulje.
