Përparim Kalo, ka reaguar pas publikimit të emirt të tij në listën e Ministrisë së Jashtme për Konsujt e Nderit, të cilëve do t’u hiqen targat diplomatike. Ai i kërkon ministrit të deleguar Gent Cakaj, që t’i kërkojë falje publike.
Përparim Kalo, Konsull Nderi në Danimarkë, emri i të cilit ishte i 8-ti në listën e publikuar nga Ministria e Jashtme, i ka nisur një e-mail “Protokollit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme”, në të cilin thotë se “deklarimi se konsujt e nderit paskanë bërë ‘shkelje të habitshme duke u pajisur me targa CD’ është një fakt deklarim i habitshëm, pasi në asnjë vend të botës shteti nuk mund të konsiderojë shkelje, aq më tepër të habitshme, një veprim apo veprimtari të autorizuar prej vetë shtetit ose organit të tij përfaqësues”, raporton Dosja. Kalo shprehet se konfirmon se nuk do ta përdorë targën diplomatike, por i kërkon ministrit të deklarojë publikisht se Përparim Kalo nuk ka bërë shkelje të habitshme. Sipas tij ky sado pak do të ishte kompensim për dëmin e shkaktuar. “Jam i Nderuar nga Mbretëresha Margreth II e Danimarkës dhe është e padrejtë të Çnderohem nga ministër i komanduar i shtetit tim”, shprehet Kalo në e-mailin drejtuar Protokollit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.