Zhvillohen zgjedhjet për kreun e Partisë Socialiste në nivel lokal të bashkisë dhe qytetit të Korçës, ku fiton një mandat të dytë drejtimi Emiljano Muharem. Vetë kandidati fitues mes tre garuesve për këtë funksion partiak, e njoftoi publikisht rizgjedhjen.
“Falenderoj me zemër të gjithë ata që më votëbesuan për një mandat të dytë në krye të Partisë Socialiste në Korçë! Thellësisht mirënjohës për të gjithë”, postoi mesazhin e tij Emiljano Muharem.
Ai ka siguruar 98 vota kundrejt 95 që siguroi kandidati tjetër Petrika Tollkuçi dhe 31 që mori Nada Bandilli. Tre vota dolën të pavlefshme.
Rizgjedhja e kreut aktual të PS në drejtimin e këtij subjekti politik në Korçë erdhi nga konstituimi i Asamblesë të zgjeruar, ku përfaqësuesit e saj votuan për tre kandidaturat në garë. Kryetarët e PS në nivel lokal, janë votuar dhe zgjedhur pak ditë më parë edhe në Pogradec dhe Ersekë.