Në Zvicër janë vërtetuar 37 raste të infektimeve me koronavirus. Për 24 orë ky numër u rrit me 7 persona, shkruan srf.ch.
Të gjithë të sëmurët janë izoluar, bën të ditur Zyra Federale për Shëndetin Publik (BAG) në një komunikatë të publikuar në faqen e saj të internetit.
Ndërkaq, sipas po këtij njoftimi, deri më tani është bërë testimi i më shumë se 2200 personave nën dyshimin se mund të jenë të prekur nga koronavirusi.
Ndërkohë, personi i parë në Zvicër i testuar si i sëmurë nga koronavirusi, një rast nga Gjeneva, tashmë është shëruar dhe ka dalë nga spitali ku po mbahej. Këtë njoftim e jep Departamenti për Siguri, Punë dhe Shëndetësi, i Gjenevës.
Pacienti në fjalë është një student i cili gjatë javës qëndronte në Gjenevë.
Sipas departamentit të përmendur, në Kantonin e Gjenevës tani ndodhen katër persona të sëmurë nga koronavirusi të cilët ndodhen nën mbikëqyrjen e rreptë mjekësore në spitale. Ndërsa katër pacientë tjerë po mjekohen në shtëpi. Gjithsej në Kantonin e Gjenevës janë 54 persona të vendosur në karantinën preventive.